“Që sot filloi së funksionuari bashkëpunimi ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, përkatësisht ‘One Stop Shop’ në Bllacë dhe Han të Elezit, ku nga dy pika kufitare u shkri në një, përkatësisht kontrollohen vetëm hyrjen në shtetet përkatëse. Siç po e shihni prapa meje administrata e policisë kosovare është spostuar këtu tek pika kufitare e Bllacës nga pjesa e Maqedonisë dhe pjesa tjetër do mbetet e administratës së policisë së Maqedonisë”, raporton Adnan Qaili, gazetar i TV21.
Në një ditë fundjave, pa kolona të shtuara në kufi. Kjo është dita e shumëpritur e një projekti të prolonguar prej vitesh. Në vendkalimin kufitar të Bllacës, nga sot 12 prill 2025, nisi të funksionojë sistemi i integruar i një kufiri të vetëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Qytetarët shprehen optimist se nuk do të ketë më kolona të gjata të pritjes dhe se do e kursejnë kohë.
Madje, në raste kur mund të ketë edhe fluks të shtuar, policët janë të pajisur me tabletë portativ, të cilët kanë të integruar sistemin e kontrollit kufitar dhe mund të verifikohen më shumë vetura në një rresht.
Për këtë ngjarje qeveritë e të dyja shteteve mbajtën një ceremoni, por nuk u ngritën flamujt dhe shtizat mbeten të zbrazëta. Në fjalimet e tyre thanë se do forcohet fqinjësia, por edhe ekonomia duke kursyer kohën e udhëtarëve, mallrave dhe shërbimeve ndër shtetërore.
“Sot këtu tregojmë se kufiri nuk duhet patjetër të jetë mur! Kufiri mundet dhe duhet të jetë ura jonë e përbashkët, urë e cila lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë. Urë përmes së cilës flitet për besim, bashkëpunim, shkëmbim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe turizmit. Urë që do ta kalojnë miliona njerëz, miliona shpresa por edhe miliona plane”, deklaroi Mickoski
“I iniciuar në vitin 2021, modeli i ri i pikë kalimit të përbashkët kufitar në Bllacë, i bazuar në parimin hyrje-hyrje është shembull i përparimit konkret e praktik dhe shenjë e rritjes së mirëbesimit mes nesh. Tani e tutje qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës ndërkaq, të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik”, deklaroi Kurti.
Sipas autoriteteve kufitare të të dyja shteteve, gjatë vitit 2024 mbi 5 milionë qytetarë kaluan në tri pikat kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.