“Të fortët” vazhdojnë të bllokojnë rrugët në Tetovë! A u harrua premtimi për zgjidhje të problemit?

“Të fortët” në Tetovë vazhdojnë të bëjnë ligjin, duke mos i respektuar ligjet në fuqi!

Parkohen ku të duan, si të duan dhe qëndrojnë sa të duan, pa e vrarë mendjen nëse e kanë bllokuar trotuarin, rrugën apo udhëkryqin.

Më 29 janar, kryetari i Tetovës thoshte se as vetë ai nuk e di pse po ndodh kjo dhe premtonte se do të dalë në terren bashkë me gazetarët.

“Këtë pyetje e parashtroj unë çdo ditë tek ndërmarrja e parkingut dhe policia dhe ata më demantojnë! të dalim një herë në javë edhe t’i konstatojmë këto dhe bashkë me ju të shohim ku qëndron problemi, te policia, ndërmarrja e parkingut, por nuk ka ndonjë udhëzim tek komuna e Tetovës që dikujt t’i merret vetura dhe dikujt t’i lejohet”, tha Bilall Kasami.

Një muaj pas kësaj deklarate, e pyetëm Kasamin pse nuk doli në terren për të parë situatën, siç premtoi. Kërkoi ndjesë dhe tha se do të dalë sa të jetë më i lirë.

“Tash kërkoj falje për shkak të dinamikës sot kemi takim me qytetarët nëse mbaroj më herët unë jam në gjendje edhe sot të dalim”, pati deklaruar Kasami.

Po atë ditë, 28 shkurt, na kontaktuam nga kabineti i Kasamit, duke na thënë se pas një jave Kasami do të dalë në terren bashkë me gazetarët, por më 1 mars në komunë ishte vetë ministri i brendshëm Toshkovski, i cili bashkë me Kasamin premtuan aksion për “çlirimin” të Tetovës nga keq parkimet.

“Dua të paralajmëroj nga java tjetër shpresoj se do të filloj plani i ri që do të jep ad-hok zgjidhje, paralajmëroj kontrolle të shtuara në bashkëpunimin me shërbimin e merimangës që e ka komuna e Tetovës në të gjithë rrugët kryesore që i ka komuna e Tetovës”, tha Pançe Toshkovski.

Dje e pyetëm Kasamin se çfarë ndodhi me aksionin e policisë, por këtë herë topin e hodhi tek policia, duke thënë se nuk e di se çfarë ndodhi me atë aksion të paralajmëruar.

“Sa i përket kësaj unë duhet t’i drejtohem nga ky takim krye shefit të SPB-së Tetovë të shohim se deri ku është plani operativ ku ai duhet ta përgatisë për të vepruar të vetë instruksioneve që i dha vetë ministri dhe nuk kam as unë informatë dhe kur do të nisë implementimi”, u shpreh Kasami.

E deri sa policia dhe komuna të gjejnë zgjidhje, qytetarët duhet të bëjnë durim. Të fortët do të mbizotërojnë në trafik!

Share link