Pushteti bashkë në zgjedhjet lokale, opozita e ndarë pikë e pesë!

Shkup, 5 shkurt – U konfirmua edhe njëherë që në zgjedhjet lokale do të jetë garë e ngushtë dhe e ashpër. Pushteti do të garojnë bashkërisht me përkrahje të ndërsjellë. Por, nuk janë punët ngjashëm me opozitën të cilët me gjasë do të jenë të ndarë e të përçarë. VLEN kanë deklaruar që me VMRO-në do të bashkëpunojnë, e LSDM ka konfirmuar që me BDI-në në asnjë formë nuk planifikojnë asnjëfarë lloj bashkëpunimi, shkruan Zhurnal.

VLEN dhe VMRO ndihmojnë njëra tjetrën në zgjedhjet lokale –

Partnerët e koalicionit qeveritar, VMRO DPMNE – VLEN planifikojnë paraqitje të përbashkët në zgjedhjet lokale të së vjeshtës. Kështu ka deklaruar edhe zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, gjatë një interviste për Kanal 5, duke potencuar se listat për këshilltarë do të jenë të veçanta, kurse planifikohet mbështetje e ndërsjellë për kandidatët për kryetar të Komunave, në rrethin e parë apo të dytë zgjedhor, varësisht marrëveshjes që do të arrihet.

“Për këshilltarë do të shkojmë veç e veç, për shkak të sistemit proporcional, derisa për Kryetar të Komunave është sistem shumice dhe atje ku do të kemi ne kandidatë do të mbështeten nga VMRO-DPMNE ose anasjelltas. Tani, nëse do të jetë në rrethin e parë apo të dytë zgjedhor, do ta vlerësojmë. Qëllimi është që koalicioni qeveritar të jetë fituesi absolut i zgjedhjeve të ardhshme lokale.”

Edhe pse është shprehur optimist se VLEN do të ketë rezultate më të mira zgjedhore se Fronti Evropian, sipas Mexhitit, kërkesa e tyre për zgjedhje të jashtëzakonshme është e pabazë. Sipas tij, BDI insiston për këtë skenar, vetëm që ta mbajë anëtarësinë partiake. Pas zgjedhjeve lokale, Mexhiti paralajmëroi se do të realizohet edhe plani i paralajmëruar që koalicioni VLEN të bëhet një parti politike.

Atë që e tha Mexhiti para disa ditëve e konfirmoi edhe kryeministri –

Se VLEN dhe VMRO do të kenë bashkëpunim në zgjedhjet lokale para disa ditëve e tha zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, derisa të njëjtën më vonë e konfirmoi edhe kryeministri, Hrisitjan Mickovski.

“E natyrshme është që ne si partnerë koalicioni në qeveri kemi harmonizuar një platformë politike dhe tani e njëjta do të vlejë edhe për pushtetin lokal. Pra, nuk do të ishte korrekte dhe normale të bashkëpunohej me parti tjera në pushtet lokal. Në këtë situatë kemi qasje me standarde të dyfishta. Prandaj, po do të bashkëpunojmë si partnerë koalicioni edhe në zgjedhjet lokale”, tha kryeministri, Hristijan Mickovski.

BDI dhe LSDM si parti më të mëdha opozitare larg bashkëpunimit –

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se nuk do të bëjnë koalicion me BDI-në dhe përgënjeshtron se me këtë parti ka pasur bisedime për zgjedhjet lokale.

“Morëm një leksion shumë serioz nga koalicioni me BDI-në. Shumë gjëra na kaluan mbi kokën tonë dhe duhet të jem i sinqertë dhe ta pranojmë. Distanca është diçka që ka ardhur natyrshëm, si kërkesë e anëtarësimit, por edhe si ndjenjë dhe emocion ndaj një koalicioni  i cili nuk ishte parimor”, thotë Filipçe.

E nga BDI u janë përgjigjur po me të njëjtin tonë.

“Pas humbjes së thellë të LSDM-së, Filipçe po përpiqet të distancohet nga kjo e vërtetë, duke ndjekur narrativën e VMRO-DPMNE-së që synon të rikthejë një realitet të vjetër, ku shqiptarët kishin vetëm rol dytësor… BDI mbetet e vetmja forcë legjitime përfaqësuese e shqiptarëve dhe faktor kyç në stabilitetin dhe funksionimin e shtetit. Prandaj, ndërsa në publik garojnë se kush do të izolojë më shumë shqiptarët, pas perdeve dërgojnë emisarë, sepse e dinë se qeverisja pa shqiptarët dhe pa BDI-në nuk mund të prodhojë as funksionalitet dhe as progres”, thonë nga BDI.

Ky diskurs bënë të qartë dhe vulos realitetin se këto parti politike janë larg një bashkëpunimi të mundshëm. Me çka si përfundim pushteti do të garojnë bashkë dhe opozita të ndarë. Ndërkaq, rezultati si do të jetë varet kryesisht nga figurat që do të zgjedhën si prijëse për të qenë në krye të komunave. Institucione që janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. /Zhurnal.mk

Share link