Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar sqarime nga pushteti lidhur me punësimet e shqiptarëve atje. Kryeministri maqedonas, Hristian Mickovski, ka thënë se ka bërë thirrje që të gjitha përkatësitë etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, të aplikojnë për punë në administratën publike.
Fronti Evropian pyeti sot në Kuvend partnerët e koalicionit qeverisës se pse kanë qëndrime të ndryshme rreth punësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“A do të pranoj publikisht se këto mijëra punësime ishin thjeshtë një premtim elektoral të menduar për të kaluar pa shumë zhurmë, derisa doli në opinion dhe e gjitha kjo u bë e madhe. Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë se lista e fatlumëve për këto vende pune ishte gati që në fillim, por fatkeqësisht e kufizuar vetëm në rrethin e ngushtë familjar”, tha Rina Hajdari Deputete e Frontit Evropian.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në përgjigjen e tij, bëri thirrje të ketë sa më shumë shqiptarë cilësorë në administratën publike, por askush nuk vjen të punojë në administratë për 400 euro rrogë.
“Publikisht bëj thirrje të aplikojnë sa më shumë shqiptarë, turq, romë, vllehë, serb, boshnjakë, të punësohen në administratën publike. Nuk aplikojnë, nuk ka interes. Askush nuk do të vijë për rrogë 400 euro”, tha Mickovski.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ditë më parë paralajmëroi punësimin e 1500 shqiptarëve. Muaj më parë Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ligjin për përfaqësim të drejtë të bashkësive etnike. Ligji i ri, sipas Qeverisë në Shkup, pritet të miratohet gjatë muajve të ardhshëm.