Duke filluar nga sot, shitësit me pakicë duhet të publikojnë çdo ditë çmimet e shitjes së produkteve në faqet e tyre zyrtare të internetit. Obligimi buron nga ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit që janë publikuar në Gazetën Zyrtare më 4 mars dhe Ministria e Ekonomisë ka hartuar Rregullore për mënyrën e shpalljes së çmimeve të mallrave.
Rregullorja thotë se të gjithë shitësit e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj të angazhuar në tregtinë me pakicë në përputhje me Klasifikimin kombëtar të veprimtarive kanë për detyrë të publikojnë çdo ditë çmimet e mallrave që vendosin në treg në faqen e tyre të internetit në mënyrë të qartë dhe të qasshme, përmes një seksioni të veçantë të faqes së internetit të shitësit me pakicë të dedikuar për çmimet (Çmimore). Çmimet e publikuara duhet të jenë të disponueshme pa pasur nevojë për regjistrim ose hyrje shtesë.
Përditësimet e çmimeve duhet të bëhen çdo ditë deri në orën 10:00, dhe në rast të një gabimi teknik të paqëllimshëm, tregtari është i detyruar të korrigjojë gabimin brenda 24 orëve.
Nëse tregtari ofron çmime promocionale ose me zbritje, faqja e internetit duhet të tregojë çmimin e rregullt, përqindjen ose shumën e uljes, si dhe kohëzgjatjen e promovimit ose zbritjes.
Në një anketë të bërë nga AIM, shumica e qytetarëve kanë deklaruar se nuk do të dalin në treg derisa bojkoti është në vazhdim. Ata pajtohen se çmimet e produkteve janë shumë të larta për të ardhura të ulëta.
Sipas autoriteteve, kjo metodë e publikimit të çmimeve të shitjes do të sigurojë transparencë, konkurrencë më të madhe dhe ulje çmimi.
Ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit u miratuan në seancën parlamentare të mbajtur më 25 shkurt. Një ligj të ngjashëm ka miratuar edhe Kroacia.