Universiteti “Nëna Tereza” në Shkup së shpejti pritet të zgjedhë rektorin e saj të ri, pasi atij aktualit Izet Zeqiri i skadon mandati.
Gara do të nisë javën e ardhshme dhe pritet të jetë e nxehtë. TV21 mësoi se dy janë kandidatët kryesorë: profesorët Bekim Fetaji dhe Blerim Saiti. Megjithatë burime të televizionit brenda këtij universiteti kanë ngritur shqetësime në redaksinë tonë për njërën prej kandidaturave.
Fetaji është inxhinieri i IT-së. Sipas CV-së së tij, studimet bachelor i ka kryer në “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, studimet master i ka kryer në Oxford të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa është Doktor i shkencave teknologjike me studime të kryera në Grac të Austrisë.
Saiti është profesori i edukimit fizik. Sipas CV-së, studimet bachelor dhe master i ka kryer në Institutin e kulturës fizike në Universitetin e Tiranës, ndërsa doktoratën në “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup në 2013-tën.
E shqetësimet që i kanë ngritur pjesë e botës akademike është rezultati i dobët i profesor Blerim Saitit në shollën e mesme. Ata madje kanë paraqitur dokumente të zbuluara nga regjistrat e shkollës së mesme, ku siç mund të shihet nga kjo, Saiti të gjitha notat i ka 2-sh – një rezultat që anëtarë të komunitetit akademik, që kërkuan t’u ruhet identiteti, e konsiderojnë të papranueshëm për standardet e kërkuara për një profesor, për të mos folur për një Rektor.