MPB konfirmon rastin e ri të korrupsionit – bëhet fjalë për ryshfet prej 13 mije eurosh

Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar rastin e ri të korrupsionit për të cilin njoftoi paraprakisht TV21 e që ndërlidhet me një rast ryshfeti prej 13 mijë eurosh.

Nga MPB-ja thonë se paratë duhej të jepeshin në disa këste, kurse rasti u zbulua teksa po bëhej pranimi i këstit të parë të 13 mijë eurove nga udhëheqësi i Sektorit për urbanizëm dhe veprimtari komunale në Komunën e Mavrovës dhe Rostushes.

Ryshfeti po jepej që të aprovohet ndërtimi i apartamenteve e ndërkaq S.E. tashmë është nën pranga.

“Sot (19.03.2025), nëpunësit policorë kanë arrestuar S.E., udhëheqës i Sektorit për urbanizëm dhe veprimtari komunale në kuadër të Komunës Mavrovë dhe Rostushe. Ai është kapur në objekt hotelerik në Shkup gjatë pranimit të ryshfetit. Gjegjësisht, ai ka kërkuar ryshfet prej 13.000 euro dhe ka premtuar se do të aprovohet projekti urbanistik për ndërtimin e apartamenteve dhe kapacitetet akomodimi, kurse duhej të paguante në disa këste.

Personi është arrestuar gjatë realizimit të pagesës së këstit të parë në objektin në Shkup, pasi paraprakisht ishin përpunuar në aspekt tekniko-kriminalistik. 

Gjithashtu, është kryer bastisje e personit dhe veturës zyrtare dhe janë gjetur lëndë në interes të hetimit. Pas dokumentimit të tërësishëm të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës”, qëndron në njoftimin e MPB-së.

Share link