Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë: Të gatshëm për të ofruar ndihmë për të prekurit nga tragjedia në Koçan! Për koordinim, rol të rëndësishëm pati edhe ambasadori Meidani

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, ka shprehur gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë shëndetësore, logjistike e teknike për të prekurit nga tragjedia në Koçan, që si pasojë e zjarrit humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 u lënduan, shkruan TV21. siç bëjnë të ditur, ministrja Albana Koçiu ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, për ofrimin e asistencës së menjëhershme. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se, rol të rëndësishëm koordinues pati edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani.

“Fatkeqësia tragjike që ndodhi në Koçan, ku humbën jetën shumë qytetarë, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur, ka tronditur thellë opinionin publik në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë, bën të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm dhe intensiv me autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut.

Që në orët e para pas ngjarjes, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Ministrin Arben Taravari, me qëllim koordinimin e veprimeve konkrete dhe ofrimin e asistencës së menjëhershme në çdo formë që autoritetet vendase mund të kenë nevojë.

Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm koordinues dhe lehtësues e ka luajtur edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup, nëpërmjet angazhimit aktiv të Ambasadorit Denion Meidani, i cili që nga momentet e para ka qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet maqedonase për menaxhimin sa më të mirë të situatës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konfirmon se institucionet mjekësore të Republikës së Shqipërisë janë në gatishmëri të plotë dhe të përgatitura të ofrojnë ndihmë shëndetësore, logjistike dhe teknike për të prekurit nga kjo tragjedi.

Në këto momente të rënda, Republika e Shqipërisë rikonfirmon solidaritetin dhe mbështetjen e saj të plotë ndaj komunitetit të Koçanit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe urimet për shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit”. thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri.

Share link