Drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Daut Memishi, së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Zllatko Perinski, Ambasadoren e Suedisë në Shkup, Ami Larsson Jain, dhe Përfaqësuesin e UNDP-së për Maqedoninë e Veriut, Armen Gregorian, nënshkroi marrëveshje me komunat përfituese të grantit “Forcimi i kapaciteteve komunale për implementimin e projekteve”.
Ky grant është pjesë e Thirrjes së Dytë, e financuar nga Suedia dhe Byroja për Zhvillim Rajonal, me qëllim fuqizimin e kapaciteteve komunale për realizimin e projekteve strategjike. Me 11 projektet e përzgjedhura tashmë në një fazë të avancuar, komunat po punojnë intensivisht në përgatitjen e dokumentacionit dhe mbledhjen e të dhënave të nevojshme për zbatimin e tyre.
Një tjetër lajm i rëndësishëm është se thirrja e ardhshme do të realizohet tërësisht nga Byroja për Zhvillim Rajonal, duke shënuar një hap përpara drejt një mbështetjeje të qëndrueshme dhe të strukturuar për zhvillimin lokal.
Drejtori Memishi falënderoi të gjithë partnerët për përkushtimin dhe bashkëpunimin e tyre në këtë proces, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm në angazhimin e Qeverisë për zhvillimin e balancuar dhe të qëndrueshëm të komunave në Maqedoninë e Veriut.