Nën presionin e opinionit ose për ndonjë arsye tjetër, Këshilli Penal i Gjykatës Penale të Shkupit e ndryshoi vendimin. Pra, në vend të arrestit shtëpiak, Asmir Jahoski nga Pucko Petrol, njëri nga të dyshuarit për mazutin kancerogjen, së paku 30 ditë do të qëndrojë në paraburgim në Shutkë.
Edhe pse paraprakisht kritikoi gjyqtarët dhe prokurorët, duke iniciuar interpelancën e Këshillit Gjyqësor, tani kryeministri Mickoski nuk dëshiron të komentojë vendimet e gjykatave.
“Unë kam thënë që nuk komentoj vendimet e gjykatave dhe do të vazhdoj të veproj kështu. Pavarësisht nëse ata më kanë pëlqyer apo jo”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër i RMV-së.
Por zëvendëskryeministri u tregua disi më i ashpër në komentet e tij.
“Qytetarët e dinë, është fakt që ende gjyqësia dhe prokuroria nuk janë të çliruara, janë të kapura, dhe mundohen deri në fund që mos të zbatohen ligjet, mos të zbatohen vendimet, por dje porosia është e qartë, se askush nuk është mbi ligjin dhe sidomos që korrupsioni luftohet dhe shkalla e tolarencës është zero dhe kjo vlen për gjithkënd që e ka shkelur ligjin në të kaluarën”, tha mes tjerash Mexhiti.
Në ndërkohë në nivel partiak – përplasje. VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza të ndërsjella, cila prej tyre ka qenë partneri më i madh i Asmir Jahoskit dhe Pucko Petrolit.
“LDS e toleroi me vetëdije Pucko Petrol. Ato i kanë mundësuar Pucko Petrolit dhe RKM-së që në blerjen e mazutit të fitojnë qindra milionë euro, për të cilin ndihmën kryesore e ka dhënë drejtori i EMV-së në arrati, Vasko Kovaçevski. Pucko Petrol dhe Asmir Jahoski funksionojnë mrekullueshëm në tenderët shtetërorë derisa LDS ishte në pushtet dhe në një pjesë të konsiderueshme të tenderëve janë ofertues të vetëm”, pohoi Bojan Stojanoski, VMRO-DPMNE.
“Është absolutisht jokorrekte dhe joparimore të futet LSDM në çfarëdo lidhje me ato biznese me Pucko Petrol kur kemi parë në periudhën e kaluar që një numër i madh i procedurave dhe tenderëve me kryetarët e DPMNE-së dhe ministritë e tyre janë fituar nga ajo kompani. Kështu që unë pres një hetim të shpejtë dhe transparent dhe kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi”, theksoi Venko Filipce, kryetar i LSDM-së.
Në rastin “Mazuti për TEC Negotinë”, përveç Kapushevskit, Sulkoskit dhe Jahoskit, i dyshuar është edhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili po ashtu ndiqet penalisht në rastin “Aditiv”.