Ka kaluar më shumë se një muaj nga premtimi i kryetarit të komunës se do të dalë për të parë kaosin në komunikacionin e Tetovës, Bilall Kasami sot e mbajti fjalën. Ai, së bashku me kryeshefin e SPB Tetovë dhe drejtorin e ndërmarrjes së parkingut, doli për të parë aksionin e MPB-së “Qytet i Sigurt”. I pyetur se sa është i kënaqur me këtë aksion, Kasami u shpreh se ka përmirësime, por ende nuk është në nivelin e dëshiruar.
“Ka përmirësime por nuk është ajo që duam të gjithë. Ne do të dalim përsëri bashkërisht të shohim veçanërisht kryqëzimet dhe bulevardin ‘Iliria’ ku paraqitet problemi më i theksuar dhe bashkërisht ju si medium, policia , parkingu të vetëdijesojmë qytetarët që të jenë rrugët e lira dhe trotuaret e lira”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Por, pavarësisht pranisë së shtuar të policisë dhe përdorimit të veturës së merimangës, duket se aksioni nuk dha rezultatet e pritura. Ende kishte automjete të parkuara në korsinë e dytë, në udhëkryqe dhe madje edhe në vendkalimet për këmbësorë.
Por, drejtori i Parkingjeve të qytetit thotë se që nga fillimi i aksionit të policisë, shërbimet e merimangës kanë marrë më pak vetura, duke shënuar një ulje prej 50%.
“Dënime të policisë nuk e di sa ka por mund tu them se për 50% është ulur fitimi nga shërbimi i merimangës dhe bllokatorëve që do të thotë se policia është duke e kryer detyrën e vet”, u shpreh Mirko Martinovski, drejtor i Parkingjeve të Qytetit.
Brenda vetëm tre ditëve, policia ka shqiptuar më shumë se 100 dënime. Megjithatë, pavarësisht kësaj, udhëkryqet vazhdojnë të jenë të bllokuara, ndërsa parkimi paralel dhe ai në vendet e stacioneve të autobusëve mbetet një dukuri e zakonshme.