Steve Witkoff, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, deklaroi të hënën, tre ditë pas takimit të tij të fundit me Vladimir Putinin, se presidenti rus dëshiron një “paqe të qëndrueshme” në Ukrainë.
“Jemi ndoshta në pikën ku do të ndodhë diçka shumë, shumë e rëndësishme për gjithë botën,” theksoi Witkoff në një intervistë për televizionin Fox News.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, theksoi në një intervistë se nuk është e lehtë të arrihet marrëveshje me SHBA-në mbi çështje kyçe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Nuk është e lehtë të biem dakord mbi elementet thelbësore të një zgjidhjeje. Janë ende në diskutim,” tha Lavrov për gazetën Kommersant, kur u pyet nëse Moska dhe Uashingtoni kanë rënë dakord mbi ndonjë pjesë të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
“Të gjithë e dimë se si duket një marrëveshje me përfitime të ndërsjella, të cilën nuk e kemi refuzuar kurrë, dhe si duket një marrëveshje që mund të na çojë në një tjetër kurth,” shtoi ai.
Trump ka si synim të përfundojë luftën në Ukrainë, dhe për këtë arsye ka thyer izolimin diplomatik që Perëndimi i ka vendosur Rusisë.
Administrata e tij po organizon bisedime të ndara me zyrtarë të lartë nga Rusia dhe Ukraina, të cilat deri më tani nuk kanë sjellë një armëpushim të plotë.
Witkoff u takua me Putinin të premten në Shën Petersburg, për herë të tretë që prej rikthimit të Trump në presidencë. Ky takim, që zgjati katër orë dhe u zhvillua në praninë e këshilltarëve të presidentit rus, Yuri Ushakov dhe Kirill Dmitriev, u cilësua si “bindës” nga i dërguari amerikan, i cili tha se “po fillon të duket një marrëveshje paqeje në horizont.”
Kremlini theksoi të dielën se është shumë herët për të pritur rezultate konkrete nga përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve me Uashingtonin.
Lavrov sqaroi se qëndrimi i Moskës u bë i qartë nga Putin në qershor 2024, kur ai deklaroi se Ukraina duhet të heqë dorë nga ambicia për t’u bashkuar me NATO-n dhe të tërheqë trupat nga katër provincat ukrainase që pretendon Rusia.
“Po flasim për të drejtat e njerëzve që jetojnë në ato rajone. Prandaj ato janë të rëndësishme për ne. Nuk mund t’i braktisim, nuk mund të lejojmë që ata njerëz të dëbohen,” theksoi Lavrov.
Aktualisht, Moska kontrollon pak më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, si dhe pjesë të katër rajoneve të tjera ukrainase: Zaporizhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk.
Së fundi, Lavrov vlerësoi “qëndrimin racional” të presidentit amerikan, i cili ka deklaruar se mbështetja e mëparshme e SHBA për përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO ishte një nga shkaqet e luftës.