Ditë maratonë për Ramiz Merkon në Gjykatën Themelore të Strugës. Ai sot e ka kaluar ditën e punës duke u përballur me akuzat ndaj tij në gjithsej shtatë lëndë, të cilat sot janë mbajtur në katër seanca të veçanta. Ish-ministri i Arsimit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Merkos, Jeton Shaqiri, i cili u paraqit si dëshmitar në rastet e emërimeve të paligjshme të drejtorëve në disa shkolla fillore në Strugë dhe rajonin e Strugës, tha se gjatë kohës sa ishte ministër nuk kishte informacion për mënyrën se si janë emëruar drejtorët. Fjala është për shkollat në fshatrat Podgorcë, Labunishtë, Radolishtë dhe Vëllezërit Milladinov.
“Nuk më është dorëzuar draft – raporti nga Sektori për Arsim Fillor për situatat konkrete. Ka komunikim mes Inspektoratit të Arsimit, kabinetit dhe shërbimeve juridike përgjegjëse, por nuk ka asnjë propozim”, deklaroi Jeton Shaqiri – ish ministër i Arsimit.
Lëndë e veçantë zhvillohet për emërimin e paligjshëm të drejtorit në shkollën fillore në fshatin Veleshtë, ku përveç Merkos akuzohen edhe katër persona të tjerë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh. Mbrojtja e Merkos kërkoi që të pyeteshin edhe 117 dëshmitarë të tjerë, por gjykatësi e refuzoi këtë propozim, duke lejuar që në seancën e ardhshme të merren në pyetje vetëm kryetari i Këshillit të shkollës.
“Unë mendoj se është listë tepër e gjerë e provave dhe se ne mund t’u përmbahemi atyre që kemi paraqitur tashmë në mënyrë që të marrim vendim përfundimtar për rastin”, tha Jordan Jovanov – gjykatës.
Procesi gjyqësor që ka të bëjë me blerjen e paligjshme të automjetit zyrtar luksoz Audi A6 për 67 mijë euro në kohën kur komuna kishte llogari të bllokuar, është shtyrë dhe do të nisë nga fillimi.