Durmishi nga Tetova: Papunësia nuk është statistikë – është plagë që do ta shërojmë me punë konkrete

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, z. Besar Durmishi, mori pjesë sot në panelin e organizuar në Tetovë me temën “Kriza e papunësisë te të rinjtë – Çfarë na mban pas?”, ku mbajti një fjalim të fuqishëm dhe emocional drejtuar të rinjve të këtij qyteti.

“Papunësia nuk është thjesht mungesë pune – është mungesë perspektive dhe ndjenjë padrejtësie. Dhe kjo nuk është faji juaj, është pasojë e një sistemi që për vite të tëra ju la jashtë planeve”,theksoi ministri Durmishi, duke iu drejtuar të pranishmëve.

Si dikush që është rritur në Tetovë dhe njeh realitetin e të rinjve nga afër, ministri u zotua se angazhimi i Qeverisë nuk do të mbetet në fjalë, por do të përkthehet në masa konkrete për punësim dhe vetëpunësim.

Në këtë drejtim, ai prezantoi programin qeveritar për vetëpunësim, i cili ofron:

  • mbështetje financiare për të rinjtë me ide biznesi,
  • lehtësira administrative për fillimin e aktiviteteve ekonomike.

“Ju nuk jeni problemi. Ju jeni zgjidhja. Ky vend nuk ndërtohet nga ata që ikin por nga ata që vendosin të qëndrojnë dhe të luftojnë. Dhe unë do të jem garant që ky shtet do të ndryshojë qasjen ndaj jush”.Ai mes tjerash bëri thirrje për një ndryshim të thellë në qasjen e institucioneve ndaj të rinjve dhe premtoi që politika ekonomike dhe e punësimit do të fokusohet te potenciali, jo te burokracia.

Share link