A do të eliminohet Manchester City në xhiron e fundit të Ligës së Kampionëve?

Manchester Cityt i duhet fitorja ndaj Club Brugge për të shmangur eliminimin e turpshëm nga Liga e Kampionëve. Trajneri i kampionit anglez, Pep Guardiola, nuk ishte në disponim të fliste të martën për mundësinë e eliminimit që në fazën e ligës së Championsit.

Faza e ligës është prezantuar këtë edicion, ndërsa e zëvendëson fazën grupore. Në fazën e ligës janë tetë xhiro gjithsej e më pas vetëm skuadrat më të mira avancojnë në fazën nokaut.

Në fazën e ligës garojnë 36 skuadra. Tetë më të mirat avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej pozitës së nëntë e deri në pozitën e 24 avancojnë në fazën e plejofit, që është fazë para asaj të një të tetës së finales. Ndërkohë që skuadrat prej pozitës së 25-të e deri në pozitën e 36-të eliminohen pas fazës së ligës.

Një xhiro para fundit të fazës së ligës, Manchester City është pikërisht në vendin e 25-të. Pra aktualisht është në zonën e eliminimit. Nga shtatë ndeshje ka mbledhur vetëm tetë pikë, sa i ka edhe Dinamo Zagrebi në vendin e 26-të. Nëntë pikë nuk i ka asnjë skuadër, ndërsa nga dhjetë i kanë Benfica, Paris Saint-Germaini, Sportingu dhe Stuttgarti.

Share link