Kina po sfidon tregun global të teknologjisë pasi së fundmi ka lancuar aplikacionin DeepSeek, me kosto shumë herë të më ulëta dhe që ofrohet falas për përdoruesit. Kjo ka tronditur tregun global teknologjik, pasi aksionet e shumë kompanive në këtë fushë janë thuajse në rënie të lirë.
Eksperti për teknologjinë Tomi Kallanxhi tha për “Money Report” se ky aplikacion është i njëjtë me ChatGPT, vetëm se ofrohet falas. Sipas tij, BE dhe SHBA pritet ta bllokojnë këtë aplikacion, pasi ndryshe nga ChatGPT, DeepSeek ruan të dhënat, të cilat mund të përdoren nga Kina.
Ai apeloi gjithashtu që edhe shteti shqiptar të veprojë si Italia, që e bllokoi brenda 48 orësh.
“Nuk ka transparencë në aplikacionin DeepSeek. Nuk dihen ku janë data center e këtij app-i. Dihen disa lajme që në shumicën e rasteve janë fake se shteti kinez nuk tregon shumë gjëra. Besoj se BE dhe SHBA do të reagojnë për të marrë masa dhe ta bllokojnë për të mos rënë prapë në pre si me TikTok, që u bë një nga aplikacionet më të shkarkuara, edhe pse DeepSeek është app më i shkarkuar sot për sot në planet sepse është falas. App-e si DeepSeek janë mjete që financohen nga shteti kinez për shërbime informative kineze.
Ruan të dhënat por një gjë të tillë ChatGPT s’e bën. Nuk i ruan të dhënat në serverat e tij. Por problematika e këtyre të dhënave është se shkojnë në Kinë dhe nuk e dimë se për çfarë mund të përdoren. Agjencia e të dhënave personale në BE dhe SHBA duhet të reagojnë, pse jo dhe agjencia e shtetit shqiptar, siç bëri ajo e shtetit italian që e bllokoi DeepSeek menjëherë pas 48 orësh në të gjithë territorin italian. Kompanitë perëndimore nuk duhet ta përdorin duke qenë se është aplikacion kinez dhe bie në kontradita me të dhëna personale”, tha eksperti./abcnews.al