S’ka fundjavë të zgjatur për VLEN-in! Mbajnë takim për shkrirje në një parti

Mbrëmë u mbajt takimi i radhës ndërmjet partnerëve të Koalicionit VLEN. Në komunikimin tonë me zyrën për informim, kuptojmë se koalicioni VLEN akoma nuk ka konkretizuar datën se kur do të shkrihet në një parti. Pas turbulencave të krijuara nga largimi i ASH-së së Taravarit nga ky koalicion qeverisës partitë e Mexhitit, Ibrahimit dhe Kasamit paralajmëruan se do bëhen një subjekt i vetëm politik. Kjo u paralajmërua javës së kaluar, por që tani mbeti për javën e ardhshme. Madje nga VLEN thonë se mund të shkoj deri në fund të muajit.

“Pasi të konstituohen Kryesia e VLEN-it, do të bisedohen edhe modalitetet, organogrami dhe mënyra e funksionimit dhe afatet. Kjo pritet të bëhet brenda javës që vjen ose deri në fund të prillit”, thotë VLEN.

Gjatë javës që lamë pas, deklarimet e fundit nga disa prej krerëve të partive ishin se nuk ka rëndësi kush do të jetë kryetar i partisë së re.

“Nuk ka qenë çështja deri më tani se kush do të jetë kryetar! Më së paku brenda VLEN-it ka pasur debat se kush do t’i prijë këtij subjekti politik dhe se si do të bëhet ndarja e përgjegjësive. Për ne është me rëndësi që VLEN të vazhdoj misionin, të cilin e ka nisur në zgjedhjet parlamentare të bëjnë ndryshimin dhe të sjell një frymë të re, në qasje të re në politikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Kasami.

Kreu i LD-së, Izet Mexhiti, pas largimit të Taravarit, tha se subjekti i ri do të ketë një strukturë të konsoliduar, me shtab, qendër informative, kandidatë, program dhe lista këshilltarësh të përbashkëta.

“Në ditët në vijim do të ju informojmë edhe për riorganizimin politik të strukturës dhe për strategjinë e VLEN-it për zgjedhjet e ardhshme. Me këtë rast iu bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, votuesve dhe funksionarëve të ASH-së që të distancohen nga politikat e përçarjes të z.Taravari e sponsorizuar nga BDI-ja dhe oligarkët tjerë dhe të qëndrojnë në koalicionin e ndryshimit se vjeshta sjell një fitore të re”, deklaroi Mexhiti.

Por a do të ketë lëvzije edhe brenda kabinetit qeveritar? Për këtë nga VLEN thonë:
“Vendimit se kush mbetet e kush hy në qeveri është vendim i përbashkët qeveritar. Neve na duhet diskutim i ri se a mbetet kjo qeveri në parimet e njëjta mbi të cilat është krijuar, siç është lufta kundër korrupsionit. Nëse jemi dakord për këtë, duhet ta rishqyrtojmë se i kemi të gjithë partnerët të përkushtuar në këtë standard apo ka luhatje dhe koketime me parti që standard e kanë krimin dhe korrupsionin. Janë diskutime brendaqeveritare, epilogun e të cilave nuk duhet dhe nuk mund ta parashikojmë” thuhet në përgjigjen nga Koalicioni VLEN.

Share link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *