Objekti i Komunës së Tearcës mbetet pa energji elektrike, nuk janë paguar faturat

Objekti i Komunës së Tearcës ka mbetur sot pa energji elektrike, për shkak të borxheve të mëdha dhe keqmenaxhimit të vazhdueshëm në këtë komunë, e cila drejtohet nga Nuhi Neziri, kuadër i BDI-së. Mungesa e pagesës ndaj operatorit energjetik EVN ka çuar në ndërprerjen e furnizimit me energji, duke lënë institucionin në errësirë.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar Daut Memishi i cili ka premtuar se ndryshimi në këtë komunë është i pashmangshëm dhe shumë afër.
“Sapo u njoftova se objekti I Komunës së Tearcës, që nga sot, ka mbetur pa energji elektrike. Shkaku? Borxhe të mëdha ndaj operatorit EVN – e si pasojë, ndërprerja e furnizimit.
Kjo është pasqyra më e qartë e degradimit total të institucioneve tona. Kur menaxhohet me vjedhje dhe keqpërdorim, rezultati është ky: qytetarët mbesin në terr për qejfin e dikujt.
Ky nuk është shërbim ndaj qytetarëve – kjo është tallje me ta. Si VLEN, shumë shpejt do ta sjellim ndryshimin!
Qytetarët meritojnë më shumë, më mirë – dhe më në fund, do ta kenë zgjidhjen e duhur”, shkroi Memishi në një reagim në Facebook.
Situata ka nxitur kritika të ashpra në opinionin publik, ndërsa banorët e Tearcës shprehen të zhgënjyer nga menaxhimi I deritanishëm I komunës.

Share link