Për kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pesha e koalicionit VLEN është e njëjtë edhe pa Taravarin.
“Unë vlerësoj se VLEN peshon, të mos them më shumë, aq sa peshon pa Taravarin, apo sa vlente e peshonte me Taravarin. Sepse VLEN është këtu, të gjithë aktorët e tjerë janë këtu”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.
Në intervistë për REL Kasami u shpreh optimist se ende ka shanse reale që VLEN të vazhdojë i bashkuar, sepse siç shprehet, vlera e secilës parti, pjesë e koalicionit, është shumë e madhe si pjesë e VLEN-it. Humbësi më i madh, sipas tij, do të ishte ai që del nga VLEN, gjersa rikujtoi edhe një shprehje popullore.
“Unë vlerësoj se humbësi më i madh do të jetë ai që del, pra në rastin konkret të koalicionit VLEN. Sepse jo rastësisht edhe thënia popullore është „ai që ndahet nga grupi, e han ujku”. Në këtë rast mendoj se VLEN do të vazhdojë edhe më fuqishëm”, shtoi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
I pyetur për një qëndrim rreth këtyre fjalëve të Kasamit, kreu i ASH-së që ende zyrtarisht është në VLEN, Arben Taravari, ishte i shkurtë në përgjigje, duke thënë se Kasami ngatërron numrat dhe ekuacionet.
“Lapsus linguae. Ngatërrim numrash dhe ekuacionesh”, deklaroi Arben Taravari – kryetar i Aleancës për Shqiptarët.