Në seancën e sotme të rigjykimit për zjarrin tragjik në spitalin modular në Tetovë, avokatët e të akuzuarve lexuan provat mbrojtëse. Të akuzuarit nuk ngarkohen për shkaktimin e zjarrit, por për vepra të tjera penale. Familjarët e viktimave kërkojnë që të nisë sa më parë procesi tjetër, në të cilin para drejtësisë të dalin shkaktarët e zjarrit. Dëshmitë u lexuan nga avokati i Florin Besimit, pastaj nga ai i Artan Etemit, si dhe nga përfaqësuesi ligjor i Spitalit të Tetovës. Gjatë paraqitjes së dëmshpërblimeve të dhëna për familjarët, reagoi Ibin Emshiu, i cili humbi babanë dhe vëllanë në zjarr, duke e cilësuar të panevojshme dhe jonjerëzore përmendjen e tyre.
“Kisha ndjenjat e mia dhe kur ma përmendën babën edhe vëllaun se u kanë dhënë ndihmë financiare e bëra publikisht. Ndoshta mund në ndonjë fjali të kisha eskaluar por problemi është se un nuk kërcënova personat aty. Nëse na lejon gjykata, se ata mbrohen se na kanë dhënë ndihmë financiare, në atë lloj ata si mbrohen, unë do u jap jo nga 30 mijë euro, por unë do ju jap nga 60 mijë euro”, tha Ibin Emshiu.
Emshiu thotë se nuk janë të kënaqur pasi që në seancë nuk flitet për shkaqet e zjarrit, por për dëmshpërblimet që kanë marr familjarët.
“Nuk jemi të kënaqur se në bankën e të akuzave mungojnë persona tjerë dhe prokuroria nuk i futën në listë për tu dënuar. Sot e dëshmoj edhe një herë prokuroria atë turpin e vetë se në mes të seancën mbrohen se na kanë dhënë ndihmë financiare neve familjarëve për dhimbjet e asaj nate dhe mbrohen me këtë. Me këtë i vjen këta çka kërkojnë këtu, por nuk është çështja këtu, por është çështja të flitet për çështjen e zjarrit, për materialet që janë përdorë”, deklaroi Emshiu
Seanca do të vazhdojë më 22 prill për shkak se dëshmitarët nuk ishin të pranishëm. Në seancën e radhës do të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë të cilat janë dhënë në gjykimin paraprak, për shkak të efikasitetit të procedurës.