Nga BDI thonë se grupi parlamentar i Frontit Evropian do të kërkojë sot zyrtarisht krijimin e një Komisioni Parlamentar të posaçëm për të hetuar, siç thonë ata, qasjen selektive dhe të njëanshme të sistemit të drejtësisë në trajtimin e tragjedisë në Koçan. Nga BDI thonë se Fronti Evropian do të parashtrojë kërkesë zyrtare në Kuvend për këtë çështje.
“Ky komision duhet të ngrihet menjëherë dhe të përfshijë përfaqësues të OSBE-së, si dhe përfaqësues nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në cilësinë e vëzhguesve me qëllim garantimin e një hetimi të drejtë, të pavarur dhe transparent. Drejtësia selektive ka tronditur çdo qytetar të këtij vendi dhe ka krijuar një situatë të paprecedentë që rrezikon themelet e shtetit të së drejtës dhe të besimit qytetar ndaj institucioneve. Mosveprimi ose instrumentalizimi politik i drejtësisë për qëllime të ngushta cenon jo vetëm të drejtat themelore të qytetarëve, por edhe stabilitetin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit.