BDI: Pushteti po mbron të vetët dhe po kërkon fajtorët diku tjetër – kjo dëmton besimin e qytetarëve!

Bashkimi Demokratik për Integrim ka bërë thirrje deri te institucionet që të “ketë drejtësi të plotë, të pavarur dhe të pandikuar nga politika” në hetimin për tragjedinë në Koçan, ku nga zjarri në një diskotekë humbën jetën 59 persona, transmeton TV21.

BDI ka kritika për mënyrë se si po zhvillohen hetimet, duke akuzuar “pushtetin se po mbron të vetët, kurse fajin e kërkon diku tjetër”. Sipas BDI-së, kjo e “dëmton besimin e qytetarëve”.

“Tragjedia e ndodhur kërkon përgjegjësi të qartë dhe institucionale, pa manipulime për përfitime politike. 
Fatkeqësisht, po shohim se pushteti po përpiqet me çdo mjet të mbrojë të vetët dhe të shpërqendrojë opinionin publik duke kërkuar fajtorë diku tjetër.
Kjo qasje selektive dhe e padrejtë dëmton jo vetëm besimin e qytetarëve te institucionet, por edhe vetë procesin e drejtësisë.
Ne nuk do të biem në kurthin e politikës së fajësimeve dhe përçarjeve.
Për ne, drejtësia nuk mund të ndahet në ‘tanët’ dhe ‘të tyre’ – ajo duhet të jetë njësoj për të gjithë.
Ndaj, i bëjmë thirrje institucioneve të qëndrojnë mbi çdo ndikim dhe të sigurojnë një proces transparent, të paanshëm dhe të drejtë. 
Vetëm e vërteta dhe përgjegjësia e plotë mund ta kthejnë besimin e qytetarëve.
Çdo përpjekje për ta devijuar këtë proces nuk është në shërbim të drejtësisë, por në shërbim të atyre që duan të fshehin të vërtetën”, thonë mes tjerash nga BDI.

Share link