Funksionarët në Maqedoni, “merakli” të Shkodave! Për dy vjet janë blerë vetura në vlerë të 8,5 milionë €

Vetëm në dy vitet e fundit, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut kanë blerë 269 automjete të reja dhe për to kanë shpenzuar 8,543,658 euro. Disa nga institucionet i kanë blerë automjetet, disa të tjerë i kanë marrë me lizing,në të shumtën e rasteve lizing operativ, që do të thotë se pas skadimit të afatit të lizingut, duhet t’i kthejnë ato, ndonëse i paguajnë automjetet sikur t’i kenë blerë. 44 institucione kanë blerë vetura të reja dhe janë lidhur gjithsej 72 kontrata për prokurim publik. Vlera mesatare e të gjitha automjeteve të blera në dy vitet e fundit është 31,760 euro, sipas hulumtimit të Qendrës për Komunikim Qytetar.

Automjetet më të shtrenjta, prej 55 mijë euro secila, kanë blerë Komuna e Shuto Orizarit, Video Lotaria Shtetërore, Komuna e Manastirit dhe Komunaleci Kavadar. Në këtë kategori do të kryesonte Komuna e Prilepit, e cila në dhjetor të vitit 2024 ka lidhur marrëveshje për blerjen me lizing të një automjeti për 63 mijë euro, por siç pretendon komuna, kontrata është shkëputur në shkurt të këtij viti dhe automjeti nuk është marrë. Megjithatë, ndërprerja e kësaj kontrate nuk është bërë e ditur në Sistemin Elektronik të Prokurimit Publik.

“Analiza përfshin automjetet e blera gjatë viteve 2023 dhe 2024, dhe i referohet vetëm automjeteve të pasagjerëve, e jo automjeteve komerciale, dmth të mallrave, transportit dhe teknikës. Megjithatë, baza e të dhënave për këto blerje, e cila është pjesë e hulumtimit, përfshin, përveç automjeteve të pasagjerëve, edhe kontrata për blerjen e automjeteve komerciale dhe të përdorura, thonë nga Qendra.

Individualisht sipas institucioneve, më së shumti automjete kanë blerë Elektranat e Maqedonisë – 82 automjete në vlerë të përgjithshme prej 2,2 milionë eurove. Po kaq para, por për gati gjysmën e automjeteve, ka shpenzuar qeveria, përmes Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, për blerjen me lizing të 45 automjeteve, secila me çmim prej 50 mijë eurove. Më pas në listë është Ministria e Brendshme, e cila ka blerë gjithsej 28 automjete për 900 mijë euro. Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe Ekonomizimi i Ujravve ka shpenzuar më shumë se gjysmë milioni euro për automjete të reja, ASK ka blerë 23 automjete, ndërsa Ekonomizimi i Ujrave 15 automjete.

“Shkoda” është marka “e preferuar” e zyrtarëve

Institucionet blenë më shumë automjete nga marka Shkoda, deri në 90, ose një e treta e të gjitha automjeteve të blera në periudhën analizuese dyvjeçare. Brenda kësaj marke, deri tani modeli më i zakonshëm i blerë është “Superb”. Nga 90 Skodat e blera, 56 janë të këtij modeli.

Marka Dacia nuk është shumë prapa Shkoda, me 78 automjete të blera. Pothuajse 90% e automjeteve të blera nga kjo markë janë modeli “Duster”.

Marka e radhës për nga numri i automjeteve të blera është Peugeot, me 45 vetura të shitura pasagjerësh.

Të gjitha markat e tjera përfaqësohen me dukshëm më pak automjete, megjithëse veçohen Opel me 16 automjete dhe Renault me ​​10 automjete.

Konkurrencë jashtëzakonisht e ulët në tenderat për prokurimin e automjeteve

Numri mesatar i ofertave nga kompanitë në tenderë për prokurimin e automjeteve të reja ishte 1.4 oferta. Rreth 70% e këtyre prokurimeve kanë pasur vetëm një ofertë. Numri më i madh i ofertave të pranuara në një tender të vetëm ishte tre, por në tender kishte vetëm katër oferta të tilla.

“Kur bëhet fjalë për kompanitë që fitojnë këto tendera, 78% e 8.5 milionë eurove shkojnë vetëm për tre kompani. Ndër to, dy kompani kanë vlerën më të lartë totale të kontratave të lidhura për prokurimin publik të automjeteve. Të dy arritën një vlerë totale të kontratave prej rreth 2.8 milionë euro për dy vitet e analizuara. Fjala është për Porsche Leasing me 2,853,911 euro dhe Automotive Group me 2,744,380 euro. E treta, me 1.062.920 euro është Euroimpex. Në këtë grup kompanish që dallohen sipas vlerës së kontratave të prokurimit publik për automjete bëjnë pjesë edhe Josifov me 653,203 euro dhe Deluxe-auto me 620,985 euro. Të gjitha kompanitë e tjera që shesin automjete ose ofrojnë automjete me qira kanë shuma dukshëm më të vogla të kontratave të lidhura të prokurimit publik për vetura”, tregon hulumtimi.

Share link