“Nuk e kemi ndërmend të heqim dorë”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj nëse do të vazhdojnë përpjekjet për të dhënë shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” në Prizren ku u anulua dy herë. “Politika do të duhej të mos përzihej në art”, ka thënë drejtori artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër ”DokuFest”, Veton Nurkollari. Për dallim prej tij, akterë të tjerë të jetës kulturore në këtë qytet, kanë refuzuar që të komentojnë situatën me arsyetimin se është komplekse. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka heshtur edhe të enjten përderisa drejtorja programit në “Qendrën Multimedia” e ka akuzuar për hipokrizi dhe përzierje në punë që nuk i takojnë
Qendra “Multimedia” nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga dhënia e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në Prizren. Edhe pas anulimit të kësaj shfaqjeje në teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu” dy herë radhazi, produksioni nuk do të tërhiqet. Përderisa për disa akterë kulturorë në Prizren, teatri duhet ta ketë lirinë e vet, disa të tjerë kanë refuzuar ta komentojnë situatën shkaku i ndjeshmërisë së kësaj çështjeje. E Komuna e Prizrenit vazhdon të heshtë, pavarësisht që ka ndikuar që “Të gjashtët kundër Turqisë”, me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Nezirajt, të anulohet.
Shfaqja do të jepej në Prizren të mërkurën. Por Komuna ka ndërhyrë që të mos jetë në repertor. E paraprakisht në dhjetor ishte anuluar për “arsye teknike”, pas reagimeve e letrave për kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj që shfaqja të anulohej.
“Po patjetër”, është përgjigjur dramaturgu Jeton Neziraj i pyetur nëse do të vazhdojnë përpjekjet për ta dhënë shfaqjen në Prizren. “Nuk e kemi ndërmend të heqim dorë”, ka thënë ai të enjten.
Anulimi i dyfishtë i kësaj shfaqjeje në Prizren është prej rasteve të rralla në vend.
“Nuk ndihem mirë për këtë gjë. Nuk ndihem komod. Politika do të duhej të mos përzihej në art”, ka thënë drejtori artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër ”DokuFest”, Veton Nurkollari. Sipas tij, teatri duhet të jetë i pavarur.
“Teatri duhet ta ketë lirinë e përzgjedhjes së repertorit të vet. Nëse nuk e ka lirinë atëherë është teatër i diktuar. Nuk është mirë të kthehet siç ka qenë dikur. Nuk duhet të kthehemi andej. Teatri duhet ta ketë lirinë e vet”, ka thënë Nurkollari. Për dallim për tij, akterë të tjerë të jetës kulturore në këtë qytet, kanë refuzuar që të komentojnë situatën me arsyetimin se është komplekse.
“Nuk e kam atë guxim”, ka thënë një prej tyre që udhëheq një prej organizatave kryesore të artit në Prizren. Përderisa kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, as gjatë ditës së enjte nuk është përgjigjur për rastin, nga qendra “Multimedia” ai është akuzuar direkt.
Në një reagim të drejtores së programit të kësaj organizate, Aurela Kadriu, shkruhet se kryetari Totaj hyn në punë që nuk i takojnë.
“Hipokrit është edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili dhimbjen e njerëzve e bën pjesë të matematikave gjeopolitike dhe për shkak të presioneve të Konsullatës turke në Prizren e Ambasadës së Turqisë në Kosovë, të cilat operojnë nën udhëheqjen e Tayip Erdoganit, e ndalon prezantimin e shfaqjes ‘Të gjashtët kundër Turqisë’ në Prizren”, ka shkruar ajo. I është drejtuar kryetarit Totaj duke thënë që të mos e fshehë dorën pas gjuajtjes së gurit.
“Ne nuk mund të sillemi sikur ju nuk jeni prapa këtij sabotimi që i është bërë shfaqjes në dy tentimet tona për ta prezantuar atë në Prizren. Fillimisht, në dhjetor, kur arsyetimet banale për çështje të ngrohjes, vendosëm t’i pranojmë dhe tani në mars, kur e keni thënë përmes njerëzve tuaj se shfaqja nuk guxon të luhet në Prizren, duke i futur hundët në punët që s’ju takojnë në Teatrin ‘Bekim Fehmiu’ të qytetit të Prizrenit”, ka shkruar Kadriu.
Shfaqja kishte çuar pluhur të madh edhe para premierës në Prishtinë, në vjeshtën e vitit të kaluar.
Pa e parë fare shfaqjen, ende pa u dhënë premierë më 16 tetor, kundër saj kishin reaguar edhe autoritetet turke. I kishte dalë punë Ambasadës së Turqisë në Kosovë. Kishin takuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, pikërisht për “Të gjashtët kundër Turqisë”. KOHA i kishte adresuar pyetje MKRS-së dhe Ambasadës së Turqisë në Kosovë, sapo e kishte marrë informatën. I kishte pyetur, ndër të tjera, nëse është mbajtur takimi. Nuk kishin kthyer përgjigje.
Burim Mustafa, drejtor i përgjithshëm i teatrit “Bekim Fehmiu” të mërkurën vonë kishte thënë se pasi në dhjetor shfaqja nuk u dha shkaku i problemeve me ngrohje, pas diskutimeve, u vendos që shfaqja të jepej më 5 mars si datë e propozuar nga qendra “Multimedia”.
“Megjithatë, pas një takimi me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren, na u sugjerua ta shtyjmë sërish. Aktualisht, jemi në pritje të caktimit të një takimi trepalësh nga DKRS-ja, ku do të marrin pjesë qendra ‘Multimedia’, Teatri dhe DKRS-ja, me qëllim që të kuptohen arsyet e kësaj shtyrjeje dhe të përcaktohet një datë për reprizën e shfaqjes”, kishte thënë Mustafa.
Drejtori i DKRS-së në Prizren, Adem Morina, të mërkurën vonë i ka thënë KOHËS se s’ka dijeni për këtë rast.
KOHA ka marrë vesh se DKRS-ja nuk e ka lejuar Teatrin që ta vendosë shfaqjen në repertor për muajin mars. “Të gjashtët…” nuk është në repertorin e marsit, i publikuar në ditën e parë të këtij muaji.
Në dhjetor, sapo u publikua se kjo shfaqje do të jepet në teatrin “Bekim Fehmiu”, në rrjete sociale nisën kërcënimet e gjuha e urrejtjes në adresë të ekipit dhe shfaqja u anulua për “shkaqe teknike”.
Kërkesa për anulim i ishte adresuar zyrtarisht edhe kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e aty i bëhet me dije se ky produksion teatror “është përgatitur kundër interesave të Turqisë, po ashtu kundër presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, i cili po ashtu është qytetar nderi i Komunës së Prizrenit”. “Kërkesa për anulimin e shfaqjes së datës 6 dhjetor 2024, pranë ‘Teatres së Qytetit Bekim Fehmiu’”, qe nënshkruar nga Ertan Simitçi, anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, kryetar i Partisë Turke të Lëvizjes Novatore. Kryetarit i drejtohej edhe si përfaqësues i komunitetit turk. Kërkesa e tij ishte e qartë: shfaqja të anulohet. “Kjo shfaqje është kundër vlerave të komunitetit turk”, kishte gjykuar pas konstatimeve se është “kundër Turqisë e presidentit turk”. Kërkesa mbante datën dy dhjetor. Qe bërë publike nga qendra “Multimedia”.
Simitçi e luste kryetarin Totaj që të shfrytëzojë kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore dhe të mos lejohet që të jepet shfaqja, të cilën ai, siç shkruante “Multimedia”, nuk e ka parë.
“Në emër të komunitetit turk po ashtu edhe si përfaqësues i komunitetit turk, po ju kërkojmë që të merrni masat e duhura për ta anuluar këtë shfaqje. Në e dimë që Ju si kryetar nuk keni pasur informatë rreth kësaj çështjeje, andaj ne kërkojmë që të kërkohet përgjegjësi nga drejtori i teatres dhe menaxhmenti për këtë ngjarje”, do të shkruante Simitçi.
Kjo nuk është hera e parë që institucionet turke kanë telashe me dramat e Jeton Nezirajt.
“Fluturim mbi teatrin e Kosovës” pati bërë goxha bujë në Stamboll më 2014. Pas kërkesës së Ministrisë turke të Kulturës për retushim të tekstit, kishte dhënë dorëheqje drejtori i Teatrit Shtetëror.
“Të gjashtët kundër Turqisë” e ka zanafillën te mësimdhënësit turq të cilët në një mëngjes të vitit 2018 ishin kapur nga Policia e Kosovës. Atyre u ishin revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë dhe shteti më i ri në Evropë ua kishte dorëzuar shërbimeve turke, ku nëpërmjet një avioni të veçantë ishin dërguar në Turqi, drejt e në burg. Të gjashtit, sipas shtetit turk që udhëhiqet prej vitit 2002 nga Recep Tayyip Erdogan, ishin pjesë e “krahut” të klerikut asokohe në ekzil, Fetullah Gülen. Lëvizja e Gülenit – dikur prej njerëzve më të afërt të Erdoganit – fajësohet nga shteti turk për grushtshtetin e dështuar të vitit 2016. Asokohe arrestimet në Turqi ishin në masë. E shfaqja e qendrës “Multimedia” merret me autoritarizmin. Shtron pyetje relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufijve.
Paralajmërimi për këtë premierë kishte nxitur reagime edhe në mediet turke. Publikisht një gjë e tillë ishte bërë nëpërmjet medias “Yeniakit” që njihet si platformë mediale në përkrahje të pushtetit aktual në Turqi. Ayhan Demir, që vetidentifikohet si shkrimtar për çështje ballkanike, kishte shkruar tekstin “Propaganda e FETO-s në Kosovë”. Në këtë shkrim ai kishte bërë një bilanc të ndihmave që, sipas tij, Turqia ia ka bërë Kosovës. E më pas kishte nisur të tregojë se shfaqja nuk përmend heronjtë e veteranët e grushtit të shtetit dhe se Fetullah Gülen nuk përshkruhet si terrorist, por si klerik në ekzil. Madje autori publikisht kishte kërkuar edhe llogari nga Ministria e Kulturës në Kosovë.
“Shihemi së shpejti në Prizren me shfaqjen ‘Të gjashtët kundër Turqisë’”, kishte shkruar ekipi i “Qendrës Multimedia” dhe i shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”, në dhjetorin e vitit të kaluar. Por “së shpejti” ka dalë të jetë larg edhe në mars.