Inspektorati Komunal në Tetovë u nisë për të paralajmëruar uzurpatorin e 3000 metrave katror që ta lëshon pronën, por në fakt në ato hapësira gjeti një qiraxhi, shkruan Alsat.
Tokën e shtetit që e kanë uzurpuar prej vitesh e kanë lëshuar me qira pa asnjë akt juridik. Inspektorati i dha ultimatum që ta lëshojnë tokën.
Biseda mes të punësuarit dhe inspektoratit:
“Keni afat dy ditë të largoheni nga këtu, duhet heq edhe baza e taksive. Të premten në mëngjes të jetë gjithçka pastër”.
“Nëse nuk dalin, pas kërkesës së lëshuar për të dytën herë, do të detyrohemi deri nesër nëse nuk largohen, atëherë do detyrohemi që ti largojmë me ndihmën e policisë, sepse ky objekt dhe kjo parcelë janë në pronësi të komunës së Tetovës. Pas kontrollit të inspektoratit, pamë se nuk kanë asnjë marrëveshje të shkruar në formë të shfrytëzimit të hapësirës me ata që paraqiten si uzurpatorë dhe e dimë që kjo parcelë është pronë e komunës së Tetovës”, tha Armend Salihi, Kryeshef i Inspektoratit Komunal.
“Tentuam që të kontaktojmë edhe me pronarin e kompanisë pas nesh për të parë a ka kontratë qiraje dhe me kënd ka kontratë sepse vendi është mbi komunën, por pa përgjigje”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Njëri nga të punësuarit në firmën që thonë se e kanë me qira vendin, refuzoi të del para kamerave, por pas kamerës tha se nuk kanë asnjë lloj kontrate për qira mbi këtë vend.
“Ka filluar të pastrohet ja u larguan veturat që ishin këtu me defekt”, tha qiraxhiu.
Gazetari: A keni kontratë me dikë për shfrytëzim të vendit?
“Nuk e di, nuk kemi. Unë vij vetëm të punoj dhe se di deri nesër a do arrijmë. Ka një vit e ca që e shfrytëzojmë vendin”, u shpreh tutje qiraxhiu.
Përveç hetimit që është ngritur ndaj dy të pandehurve për tentim uzurpimi të tokës, ditë më parë nga kontrolli policor, hetim është ngritur edhe ndaj 62 vjeçarit Z.K., që më tutje në hetim paraqitet si shfrytëzues gjegjësisht qiraxhi i këtij vendi pa asnjë dokumentacion.
Kreu i Komunës, Bilall Kasami tha se toka është marrë në mënyrë të jashtëligjshme nga një grup i organizuar kriminal që në strukturë përfshinë edhe të punësuar nga administrata e kaluar komunale, të punësuar në gjykatë dhe gjeodet. / Alsat.mk