Të mërkurën java e 22-të me super derbin Struga – Shkëndija

Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut rikthehet të mërkurën me duelet e javës së 22-të, ku në qendër të vëmendjes është derbi shqiptar në mes Strugës dhe Shkëndijës, njofton Telegrafi.

Struga Trim Lum pret Shkëndijën në një përballje që premton spektakël. Pas humbjes në Kratovë, struganët kërkojnë të ndalin serinë negative dhe të japin shenjat e fundit se mundë të shpresojnë në një seri pozitive për tu rikthyer në garën për kreun. Ndërkaq, Shkëndija vjen e motivuar pas fitores së katër radhazi dhe synon të ruajë distancën me ndjekësit. Një trepikësh i mundshëm për kuqezinjtë do të thoshte edhe një hap më afër titullit kampion.

FC Shkupi udhëton drejt Kavadarit për të sfiduar Tikveshin. Bardhekaltërit janë në formë të shkëlqyer me pesë fitore radhazi dhe synojnë ta zgjasin këtë seri pozitive. Tikveshi vjen pas humbjes minimale ndaj Shkëndijës dhe do të përpiqet të befasojë një rival që po tregohet kockë e fortë për të gjitha ekipet.

Voska Sport do të përballet me Pelisterin në një udhëtim tejet të vështirë. Ekipi nga Ohri mori frymë pas fitores ndaj Brerës dhe synon të vazhdojë me rezultate pozitive për të shmangur zonën e rrezikut. Pelisteri, nuk është fare larg fundit, nuk është një kundërshtar që duhet nënvlerësuar.

Gostivari do të sfidojë Brerën si mysafir. Skuadra e Gostivarit që kishte ambicie të qarta për titullin kampion, barazimet e shpeshta duhet ti zëvendësoj me fitore. Skuadra shqiptare ka treguar stabilitet në mbrojtje, por tani ka nevojë për efikasitet për të ngjitur pozitat në tabelë.

Besa e Dobërdollit është një ekip që ka futbollist mjaft cilësor, por që ende nuk ka gjetur organikën e duhur, për të treguar kualitetet e vërteta. Pikërisht Sileksi mundë të jetë një trampolinë, ku Besa mundë të dëshmojë se ka potencial më të madh, që të siguron një vend në mesin e më të mirëve në kampionat.

Dy ekipet e kryeqytetit, Rabotniçki dhe Vardari do të jetë një tjetër duel interesant, me dy ekipet që kanë objektiva të ndryshme. Rabotniçki si nikoqir është favorit në letër, por me fillimin e sezonit pranveror, dy ekipet kanë pësuar ndryshime, me Rabotniçkin që duket se është dobësuar pas largimit të disa emrave shumë të rëndësishëm, ndërsa Vardari ka solli shumë përforcime, që ka filluar edhe të jep sinjale rikthimi në kampionat. /Telegrafi/

Dyshet e javës së 22-të (05.03.2025, ora 14:00):

  • Struga – Shkëndija
  • Tikveshi – Shkupi
  • Brera – Gostivari
  • Besa – Sileksi
  • Pelisteri – Voska Sport
  • Rabotniçki – Vardari
Share link