Presidenti amerikan Donald Trump e ka prezantuar idenë e re për programin e vizave dhe të ashtuquajturën “kartë e artë”, që mund të blihet për pesë milionë dollarë, e që paraqet rrugë drejt shtetësisë amerikane.
Trump tha se do ta zëvendësojë programin e vizave për investitorët emigrantë “EB-5”, me të ashtuquajturën “kartë e artë”, që lejon investitorët e huaj me shuma të mëdha parash që krijojnë ose ruajnë vende pune në Shtetet e Bashkuara, të bëhen banorë të përhershëm.
“Do të shesim “kartën e artë”. Do të vendosim çmim për atë kartë, rreth 5 milionë dollarë. Do t’i japim privilegje për kartën e artë dhe do të jetë një rrugë drejt shtetësisë amerikane, njerëzit e pasur do të vijnë në vendin tonë duke blerë këtë kartë”, tha Trump, transmeton Reuters.
Sipas tij, detajet e programit do të bëhen të ditura pas dy javësh.