Abdixhiku takon ambasadorët e QUINT-it: LDK e respekton vullnetin qytetar, s’pretendon ta anashkalojë

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte edhe kandidat për kryeministër, gjatë javës ka zhvilluar takime me përfaqësuesit diplomatik të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Bashkimit Europian, Francës dhe Italisë. 

Abdixhiku ka bërë të ditur se me të gjithë ka diskutuar mbi procesin zgjedhor, rezultatet e deritanishme, e domosdoshmërinë për pritjen e numërimit të secilës votë, përfshirë dhe ato të mërgatës. 

“Siç kam deklaruar në vazhdimësi, LDK e respekton vullnetin qytetar në plotni. As nuk dëshiron e as nuk pretendon ta anashkalojë. LDK do të sillet konform këtij vullneti me plot përgjegjësi; siç dhe do të përfaqësojë denjësisht zërin e votuesit tonë”- ka shkruar ai më 21.02.2025

Në bazë të rezultateve të fundit preliminare të përditësuara në orën 09:46, më datë 20.02.2025 në ueb-faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.80 për qind apo 342, 281 vota.

Partia e dytë me më së shumti vota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind e votave, apo 184, 811 vota.

E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind, apo 147,888 vota.

Share link