Fetai për Selën: ”Pehlivani i Aliut”, partinë e sheh si pronë private dhe mjet pasurimi!

Zëvendëskryeministri Arben Fetai dikur bashkëpartiak me Ziadin Selën e quan këtë të fundit ”Pehlivan të Ali Ahmetit” duke e akuzuar më tej se e sheh partinë si pronë private dhe si mjet pasurimi. Replika në distancë e Fetait vjen pasi Ziadin Sela në emisionin ”Klan Debat” e quajti Arben Taravarin ”parazit politik” që mendon vetëm për përfitmin e tij

Më poshtë shkrimi i Arven Fetait në profilin e tij në Facebook.

Pehlivani nuk ka emër. Ai njihet vetëm në emër të pronarit. Nuk ka qëndrim të vetin, nuk ka vizion të vetin – thjesht zbaton urdhrat e atij që e komandon. Pehlivani i Aliut, që gjithë ditën e ka gojën plot Evropë e Perëndim, mbrëmë foli hapur kundër kthimit të diasporës dhe vjelli mllefin e tij kundër atyre që kthehen për të kontribuar në vendlindje.

Natyrisht, kthimi i diasporës nuk është në përputhje me agjendën e shefit të tij, sepse Aliu e dëboi këtë popull, dhe tani që ne po kthehemi, është e rëndë për të dhe pehlivanat e tij ta pranojnë këtë realitet.Pehlivani i Aliut po sheh ëndrra syçelë edhe në ambiente me ndriçim të fortë, si në studion e mbrëmshme. Sado që përpiqet të manovrojë si lider, nënvetëdija e tradhton, veprimtaria e përditshme e demaskon.

Ai e sheh partinë si pronë private dhe mjet pasurimi. Dhe si për ta konfirmuar këtë, mbrëmë pehlivani vajtoi edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit në ASH. Kur ishte kryetar partie, dështoi; kur e bëmë kryetar Kuvendi, na tradhtoi. Tani ka gjetur ngushëllim në prehërin e Aliut që e bëri kryetar Kuvendi në hotel!

Aleanca për Shqiptarët ka pasur dhe do të ketë vetëm një qëllim: të mbrojë interesat e shqiptarëve. Të sigurojë që ata të kenë zë dhe të mos lihen pas dore. Këtë nuk mund ta arrinim pa rrëzuar diktaturën ahmetiane në Maqedoninë e Veriut.

Dhe këtë qëllim e arritëm! Madje, edhe më shumë se kaq: duke punuar për të larguar të keqen – BDI-në – demaskuam edhe “ushtarët” e Aliut, ata që hiqeshin si opozitarë, por që në fakt ishin vetëm pehlivanë.

Ne e zhveshëm BDI-në nga pushteti, dhe pehlivanët nga maska e opozitarizmit të rremë!
Maskat kanë rënë. Rruga përpara është më e qartë se kurrë!

Share link