DeepSeek shfrytëzon më pak memorie se rivalët e tij, duke ulur përfundimisht koston për të kryer detyrat për përdoruesit. Ky kombinim i performancës dhe kostos së ulët e ndihmoi këtë aplikacion me AI të bëhej falas dhe më i shkarkuari në App Store të Apple, kur u lansua në Shtetet e Bashkuara
DeepSeek, një startup kinez i Inteligjencës Artificiale (AI), u bë kryetitull në mediat botërore, pasi aplikacioni shënoi rekord të shkarkimit dhe shkaktoi fundosje të aksioneve të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara.
Javë më parë ky aplikacion lansoi modelin e saj më të fundit, DeepSeek R1, për të cilin tha se rivalizonte teknologjinë e zhvilluar nga krijuesi i ChatGPT, OpenAI në aftësitë e saj, ndërkohë që i kushtoi shumë më pak kohë për ta krijuar.
Popullariteti dhe potenciali i tij tronditi investitorët. Miliarda dollarë humbën vlerën nga tregu i gjigantit të çipave Nvidia dhe vuri në pikëpyetje nëse firmat amerikane do të dominonin tregun në periudhën kur inteligjenca artificiale po “shpërthen”.
Krejt këtë hallakatje presidenti amerikan, Donald Trump, e cilësoi si “thirrje zgjimi” për kompanitë amerikane.
Çka është inteligjenca artificiale?
Për ta kuptuar pse DeepSeek shkaktoi një zhurmë masive, duhet kuptuar inteligjencën artificiale dhe aftësinë e saj për ta bërë një kompjuter të ketë rolin e njeriut.
Makina që shfrytëzohet për t’i zgjidhur problemet dhe për të dhënë informacione përdor teknologjinë, e zakonisht ajo duhet të “trajnohet” për sasinë masive të informacionit dhe të njohë modele funksionimi.
Rezultati final është një softuer që mund të bëjë biseda si një person ose të parashikojë gjëra. Viteve të fundit ajo po njihet si teknologji që qëndron pas “chatbotëve” si ChatGPT dhe DeepSeek, e njohur si AI gjeneruese.
Këto programe “mësojnë” nga një pjesë e madhe e të dhënave, duke përfshirë tekstin dhe imazhet në internet , për të qenë në gjendje që të krijohet përmbajtje e re. Megjithatë, këto mjete mund të “krijojnë” gënjeshtra dhe të japin paragjykime mbi kërkimet. Miliona njerëz në botë po shfrytëzojnë ChatGPT-në për t’iu ndihmuar në detyrat e përditshme si shkrimi i emaileve, përmbledhja e teksteve dhe përgjigjja në pyetjet – e shumë të tjerë e përdorin për çështje të programimit dhe kodimit.
Çka është DeepSeek?
DeepSeek është emri i chatbotit, falas me inteligjencë artificiale, i cili funksionon në frymën e ChatGPT-së. Kjo nënkupton se shfrytëzohet për t’i zgjidhur detyrat e njëjta, megjithëse ende diskutohet saktësia e funksionimit.
Ekzistojnë pretendime se është po aq i fuqishëm sa modeli o1 i OpenAI, i lansuar në fund të 2024-s. Roli i tij është më tepër në zgjidhjen e detyrave matematikore dhe të kodimit. Këto modele ofrojnë përgjigje në mënyrë hap pas hapi, duke simuluar mënyrën se si njerëzit arsyetojnë nëpërmjet problemeve ose ideve.
Chatboti kinez, Deepseek, ka thënë se është në gjendje ta bëjë platformën me çmim më të ulët – studiuesit thonë se trajnimi i tij ka kushtuar rreth 6 milionë dollarë. Ajo po ashtu duket se ka arritur të minimizojë ndikimin e kufizimeve në SHBA në çipat më të fuqishëm në Kinë. Ekziston pretendimi se themeluesja e DeepSeek ka krijuar një dyqan të çipave Nvidia A100, të cilët janë ndaluar të eksportohen për në Kinë nga shtatori i 2022-s. Një grup ekspertësh besojnë se ai i kishte bashkuar këta çipa me disa të tjerë më të lirë dhe më pak të sofistikuar, duke përfunduar me një proces me më pak efikasitet.
Po ashtu DeepSeek shfrytëzon më pak memorie se rivalët e tij, duke ulur përfundimisht koston për t’i kryer detyrat për përdoruesit. Ky kombinim i performancës dhe kostos së ulët e ndihmoi këtë aplikacion me AI të bëhej falas dhe më i shkarkuari në App Store të Apple kur u lansua në Shtetet e Bashkuara.
Në të njëjtën ditë, aplikacioni u godit “me sulme qëllimkëqija në shkallë të gjerë”, kishte thënë kompania, duke u detyruar që të kufizonte përkohësisht qasjen.
Edhe faqja e saj e internetit po ashtu pësoi ndërprerje.
Si modelet e tjera kineze me AI, Baidu’s Ernie ose Doubao nga ByteDance, DeepSeek është trajnuar për t’i shmangur pyetjet “e ndjeshme politikisht”.
Kur BBC-ja pyeti aplikacionin se çka ndodhi në sheshin Tiananmen më 4 qershor 1989, DeepSeek nuk dha asnjë detaj në lidhje me masakrën, një temë tabu në Kinë, që është subjekt e censurës qeveritare.
Kush qëndron pas DeepSeek?
Ajo u themelua në dhjetorin e 2023-s nga Liang Wenfeng dhe lëshoi modelin e parë të gjuhës AI një vit më pas. Nuk dihet shumë për Liang, që u diplomua në Universitetin Zhejiang me diploma në inxhinierinë e informacionit elektronik dhe shkenca kompjuterike. Por, ai tash e gjen veten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Wenfeng ka përvojë në financa.
Ai është udhëheqës i një fondi mbrojtës të quajtur “High-Flyer” që shfrytëzon inteligjencën artificiale për t’i analizuar të dhënat financiare, për të marrë vendime investimi mbi tregtinë sasiore. Në vitin 2019, kjo kompani u bë fondi i parë mbrojtës në Kinë dhe i grumbulloi mbi 13 milionë dollarë.
“Nëse SHBA-ja mund të zhvillojë sektorin e saj sasior e tregtar, pse jo edhe Kina?”, ishte shprehur ai në një fjalim vite më parë.
Për çështjen e investimit në AI, Wenfeng ishte shprehur se Kina nuk mund të mbetet gjithmonë përcjellëse e zhvillimeve të SHBA-së.
“Befasia e tyre buron nga shikimi i një kompanie kineze që i bashkohet lojës së tyre si një novator, jo thjeshte ndjekës – gjë që është ajo me të cilën janë mësuar shumica e firmave kineze”, ka thënë ai, kur u pyet pse mendon se DeepSeek shkaktoi kaq shumë zhurmë në SHBA.
Ajo ka tërhequr vëmendje të liderëve globalë, derisa Australia e ka ndaluar DeepSeek në pajisjet dhe sistemet qeveritare, duke thënë se përbën rrezik kombëtar.
Disa autoritete të mbrojtjes së të dhënave në mbarë botën i kanë kërkuar DeepSeek të sqarojnë se si i trajtojnë informacionet personale, të cilat i ruan në serverët me bazë në Kinë.
Italia e ka bllokuar këtë aplikacion më 30 janar dhe i ka urdhëruar kompanitë të ndalonin përpunimin e informacionit të qytetarëve të saj për shkak të shqetësimeve për mbrojtjen e të dhënave.
Pse u goditën kompanitë amerikane si “Nvidia”?
Zhvillimi i DeepSeek e uli besimin se buxhetet e mëdha dhe çipat e nivelit të lartë janë mënyra e vetme për të avancuar në fushën e inteligjencës artificiale. Është krijuar perspektivë që ka krijuar pasiguri për të ardhmen e çipave me performancë të lartë.
“DeepSeek ka vërtetuar se modelet e fundit të inteligjencës artificiale zhvillohen me burime të kufizuara llogaritëse”, ka deklaruar Wei Sun, analisti kryesor për AI në Counterpoint Research.
“Në të kundërtën, OpenAI, i vlerësuar në 157 milionë dollarë, përballet me shqyrtimin e aftësisë për të mbajtur një avantazh dominues në inovacion ose për të justifikuar vlerësimin dhe shpenzimet e tij masive pa dhënë kthime të mëdha”, ka shtuar ai.
Kostot e ulëta të DeepSeek i kanë tronditur tregjet financiare më 27 janar. Kjo ka bërë që për tre për qind të bien shitjet në shkallë të gjerë, përfshirë kompanitë që prodhojnë çipa.
Çmimi i aksioneve në kompaninë “Nvidia” ra për 17 për qind para se të niste të “këndellej” pak ditë më pas.
Prodhuesit e çipave konsiderohen ndër kompanitë më të vlefshme në botë, kur flasim për kapitalizimin e tregut. Por, Nvidia ra në vendin e tretë në ranglistën botërore të kompanive. Para saj u rendit Apple dhe Microsoft, kur vlera e saj e tregut u tkurr në 2.9 trilionë dollarë, nga 3.5 trilionë dollarë, sipas një raporti të “Forbes”.
DeepSeek është një kompani private, që nënkupton se investitorët s’mund të blejnë aksione në asnjë prej bursave kryesore.
Si ka reaguar Kina ndaj ndikimit të DeepSeek?
Rritja e DeepSeek është nxitje masive për qeverinë kineze, e cila ka kërkuar të ndërtojë teknologji të pavarur nga Perëndimi. Derisa Partia Komuniste që udhëheq vendin ende s’i ka komentuar zhvillimet, media shtetërore kineze mezi priste të vihej në dukje një kompani e tillë për t’i konkurruar gjigantët amerikanë, Silicion Valley dhe Wall Street. Këto të dyja po “përmbysnin” tregun e aksioneve.
“Në Kinë zhvillimi i DeepSeek po shënohet si një testament i zotësisë teknologjike dhe i vetëbesimit të vendit”, ka thënë Marina Zhang, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Teknologjisë në Sydnei.
Ajo është shprehur se kompania DeepSeek është vërtetim i inovacionit të Kinës, si pjesë e një epoke të re udhëheqëse, e rritur nga një brez i ri sipërmarrësish.